Synimi i këtij investimi ,është për të ndërtuar një objekt me standarde të larta të mësimdhënies bashkëkohore. Është menduar që të ndërhyhet në fasadat ekzistuese dhe ambientet sportive duke rimodeluar ato për t’i dhënë një impakt të ri vizual.
Në objekt do të bëhet një ndarje e re funksionale e pjesës së oborrit jugor të saj, duke e hapur atë hapësirë të gjelbëruar gjithashtu për publikun, duke qënë se është një hapësirë e bollshme e cila mund ti shërbejë dhe komunitetit.
Në oborrin perëndimor do të bëhet ndërhyrje në fushat sportive duke qënë se ato janë të amortizuara, por gjithashtu shtohen dhe ambiente të reja rekreative e sportive që përshtaten me siperfaqen e dhënë.
Është shtuar një palestër për zhvillimin e aktiviteteve sportive krahas fushave në zonën sportive. Në fasadë është menduar një ndërhyrje e lehtë e cila i përshtatet tipologjisë së ndërtimit ekzistues dhe gjithashtu krijon një frymë të re estetike e cila ndërlidhet mirë me të vjetrën.
Qëllimi kryesor i projektit nga ana arkitektonike është që të krijojë një ndërtesë shkollore, e cila të plotësojë në mënyrë të plotë termat e referencës, të jetë funksionale dhe me hapësira të menaxhueshme, të ketë një shkallë sa më humane perceptimi, të prezantojë një eksperiencë të re projektimi të shkollave duke përmirësuar standardet sociale të shkollave.
Nga pikëpamja e organizimit funksional, ndërtesa paraqet një koncept bashkëkohor. Godina është konceptuar në një formë lineare ku janë vendosur klasat dhe ambjentet e tjera ndihmëse të nevojshme për funksionimin e shkollës. Objekti është konceptuar si një hapësirë unike, ku ambientet funksionale lidhen nëpërmjet një korridori qëndror i cili i lidh të gjithë ambjentet midis tyre. Ndërtesa i përgjigjet nevojave aktuale si dhe prespektivave të zhvillimit të një shkolle në aspektin edukativ dhe në aspektin e mësimdhënies.