Bashkia Devoll në bashkëpunim me CRCA vijon me aktivitetet ndërgjegjësuese në kuadër të “ 16 Ditëve Të Aktivizimit Të Luftës Kundër Dhunës Me Bazë Gjinore “ , ku vazhdohet me thirrjet për veprime konkrete në lidhje me dhunën në familje apo dhunën ndaj grave dhe vajzave pa dallim moshe , si një shkelje e rëndë e të drejtave themelore te njeriut.
Në gjimnazin “Nesim Kaçani “ në Miras , dhe më pas në një takim me gra dhe vajza të Njësisë Administrative Miras u zhvilluan shumë diskutime dhe ide , për problematikat dhe zgjidhjet që ofrohen për viktimat e dhunës në familje .
Institucionet arsimore janë burim i rëndësishëm për identifikimin e rasteve të dhunës në familje dhe mbështetjen e fëmijëve si viktimë apo dëshmitar të dhunës. Këto institucione kanë po ashtu rol të rëndësishëm në ngritjen e ndërgjegjësimit lidhur me dhunën në familje dhe njoftimin e instancave të tjera për rastet e fëmijëve që kanë nevojë për mbrojtje.
Arritja e barazisë gjinore dhe fuqizimi i grave dhe vajzave kërkon përpjekje më të fuqishme nga të gjithë së bashku nën një zë : “ Të ndalim dhunën ndaj grave TANI !”
Denonconi çdo rast dhune fizike ose psikologjike në numrin e policisë së shtetit 129!